TYRBJA E KAPLLAN PASHES

TYRBJA E KAPLLAN PASHES

Tyrbja e Kapllan Pashës është ndërtuar rreth viteve 1820-1830 dhe mendohet se ka qenë pjesë e kompleksit të varreve monumentale të xhamisë së parë të Tiranës, shkatërruar gjatë luftës së parë botërore. Tyrbja është ndërtuar mbi varrin e Kapllan pashë Toptanit, një prej sundimtarëve të atëhershëm të Tiranës, eshtrat e të cilit më vonë u shpërngulën në Stamboll. E ndërtuar me gurë të gdhendur, tyrbja ka një planimetri tetë-faqëshe dhe është 4 metra e lartë. Tetë kolonat klasike të tyrbes mbështeten mbi një bazament të ulët dhe në pjesën e sipërme lidhen nga tetë harqe të dekoruara me gjethe dashtre. Muri mbi arkadë mbaron i rrafshët e me një korrnizë çka të bën të mendosh se në të shkuarën tyrbja ka qenë e mbuluar me çati.