LIQENI I BOVILLES

LIQENI I BOVILLES

Liqeni i Bovillës është një nga destinacionet kryesore të Tiranës sa u përket aktiviteteve në natyrë dhe turizmit të aventurës. I ndodhur 14 km larg Tiranës, liqeni ka një sipërfaqe 4.6 km2 dhe është formësuar nga diga e ndërtuar në hyrjen e kanionit të lumit Tërkuzë më qëllim furnizimin e qytetit me ujë.

Dy shpatet e maleve mes të cilëve ndodhet diga, të dy me lartësi mbi 1200 m, bashkë me liqenin krijojnë një pamje mahnitëse për vizitorët. Ndonëse të notuarit në liqen nuk lejohet, ju mund të zhvilloni një sërë aktivitetesh të tjera sportive. Të apasionuarit pas pedalimit mund të praktikojnë çiklizmin malor, ndërsa ata që dëshirojnë më shumë adrenaline mund të tentojnë një nga iteneraret për ecje, ngjitje apo kacavjerrje të shkëmbinjve. Dhe nëse mendoni se nuk ia dilni dot mos u frikësoni, pasi iteneraret kanë grada të ndryshme vështirësie.