KALAJA E TIRANES

KALAJA E TIRANES

Kalaja e Tiranës është një fortifikim fushor me planimetri drejtkëndore. Pjesa ndërtimore e ruajtur në disa prej kullave dhe mureve rrethuese tregon se kalaja mund të jetë ndërtuar për herë të parë në periudhën e hershme bizantine, shek IV-VI, si pjesë e fortfikimeve të ndërtuara nga Perandori Justinian në Epirin e ri.

Pjesa e mureve rrethuese që shihen sot janë konstruksione të reja të ndërtuara nga Ahmet Pashë Bargjini në dekadën e fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Në brendësi të kalasë ndodhen disa shtëpi karakteristike tiranase në të cilat kanë banuar sundimtarët e Tiranës, si familja Bargjini apo familja Toptani, e cila ka sunduar kalanë dhe Tiranën që prej vitit 1798.

Sot, krahas mureve rrethuese, vizitorëve të shumtë u jepet mundësia të shikojnë edhe gjurmët e reja të kalasë, të zbuluara gjatë rikonstruksionit të rrugës Murad Toptani.